Në Gjykatën Penale në Bruksel është konfirmuar të martën, 28 janar, fajësia për dy të dyshuarit për vrasjen e aktivistit Enver Hadri.
Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri. Fajësia është konstatuar nga juria pas disa seancave që janë zhvilluar ku janë nxjerrë provat për përgjegjësinë e autorëve të vrasjes, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Këta, së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm por ishin ankuar.
Bozhidar Spasiq nuk është ankuar, që do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm për të mbetet në fuqi. Por ai, sikurse edhe dy vrasësit tjerë, nuk janë në duart e organeve të Belgjikës sepse Serbia nuk i ka dorëzuar, shkruan Koha.
Edhe ky gjykim, sikur ai që ishte përmbyllur në vitin 2016, është duke u zhvilluar në mungesë pasi Serbia nuk i ka dorëzuar të akuzuarit në Belgjikë.
Dosja e Enver Hadrit në Gjykatën e Belgjikës përmban dëshmi në më shumë se 3000 faqe.
Juria prej 12 anëtarësh që është formuar për këtë gjykim ka konstatuar se të dyshuarit janë fajtorë ndërsa tash do të caktohet edhe dënimi.