Stacioni i autobusëve në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektoratet komunale dhe shtetërore, ka nisur një aksion për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe respektimin e ligjit nga transportuesit, raporton Ekonomia Online.
Sipas ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Veton Prelvukaj, është vërejtur një rritje e fluksit të nisjeve nga stacioni, veçanërisht nga linja e Podujevës, ku shumica e operatorëve tashmë kanë filluar të nënshkruajnë kontrata.
“Në bashkëpunim me policinë dhe dy inspektoratet përkatëse të komunikacionit rrugor është sigurimi i sigurisë së pjesëmarrëse në komunikacion dhe e drejta e qytetarëve. Në bashkëpunim me komunën kemi bërë praktika të kontrollit. Problem kryesor del të jetë siguria në komunikacion, sepse transportuesit ndalen në vende jo të lejuara dhe nisen nga ato vende. Në kuadër të kompetencave tona, ne i raportojmë nëse nuk respektohet dhe është shtuar fluksi i nisjeve nga stacioni nga linja e Podujevës, ka filluar me një fluks të mirë të kënaqshëm. Vetëm ka filluar të nënshkruajnë kontrata me shumicën e konsiderueshme”, tha ai.
Shefi i Njësisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë, Vedat Zuka, tha se është hartuar një plan operativ për kontrollin e transportit publik, për shkak të shkeljeve të shumta që janë evidentuar.
“Sa i përket sigurisë, policia ka përpiluar një plan operativ në lidhje me transportin publik të autobusëve dhe kombibusëve, për shkak se kemi informacione që ka parregullsi. Momentalisht, jemi duke e zbatuar me inspektorët e ministrisë dhe ata të komunës. Jemi duke bërë kontrollin e detajuar. Shqiptohen edhe gjoba për ata që nuk e respektojnë ligjin. U bëj apel të gjithë transportueseve që të respektohen rregullat dhe ligjet. Duhet që njëherë të qetësohet stacioni i autobusëve. Ne kemi tërhequr vërejtjen, kemi biseduar edhe me shoqatat e transportuesve. Ka pasur mjaftueshëm parregullsi. Kështu i kemi informatat dhe jemi angazhuar në plane operative konkrete dhe do të jemi të gatshëm”, tha Zuka.
Vetëm të dielën janë shqiptuar 19 gjoba për taksi dhe kombibusë ilegalë, kryesisht në drejtim të Podujevës dhe Mitrovicës.
