Dy futbollistët nga Kosova, Meriton Korenica dhe Lindon Emërllahu, kanë shkruar emrin në historinë e klubit rumun Cluj, duke fituar Kupën e Rumanisë.
Në finalen dramatike të zhvilluar të mërkurën mbrëma, Cluji triumfoi ndaj Hermannstadtit me rezultat të ngushtë 3:2, në një ndeshje ku Korenica pati rol të veçantë.
Mesfushori 28-vjeçar asistoi mjeshtërisht në golin e parë të skuadrës, duke i shërbyer perfekt sulmuesit Mohammed Kamara, i cili zhbllokoi sfidën në minutën e 15-të.
Korenica u zëvendësua në minutën e 82-të pas një performance solide, ndërsa Emërllahu, 22-vjeçari nga Kosova që iu bashkua Clujit në shkurt të këtij viti, luajti të gjithë ndeshjen dhe ndihmoi në menaxhimin e rezultatit.
Ky është trofeu i parë për dyshën kosovare në futbollin rumun, që tashmë po tregon vlerat në një nga kampionatet më konkurruese të rajonit.