Kandidati i AAK për kryetar të Prizrenit, njëherit kryetar i degës se AAK në Prizren, Besnik Krasniqi është deklaruar pro koalicionit me VV, në krye me mandatarin e dytë për kryeministër, Glauk Konjufca.
Ai tha se kjo mundësi duhetbtë shqyrtohet me seriozitet nga AAK, për t’u shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Besoj fort se dalja e z. Konjufca si kandidat për kryeministër ka ndryshuar llogaritë politike në vend. Ky zhvillim kërkon qasje serioze, të matur dhe larg interesave të ngushta partiake.
Aleanca duhet ta shqyrtojë me përgjegjësi mundësinë e bashkëpunimit, sidomos nëse kjo hap rrugën për stabilitet institucional, shmang zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe zgjidh njëherë e mirë çështjen e presidentit. Nëse VV dhe z. Konjufca janë të sinqertë në këtë drejtim, unë besoj se Aleanca dhe kryetari Haradinaj do të dinë të marrin vendimin e duhur, si gjithmonë kur është fjala për të mirën e Kosovës.
Sot kërkohet mençuri, jo retorikë boshe. Kërkohet stabilitet, jo tension. Kërkohet vendim, jo improvizim.
Kosova ka nevojë për drejtim të qartë, dhe kjo është koha kur burrat e shtetit duhen parë në vepër”, tha ai.
