Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është “komplet i depolitizuar” derisa ka mbrojtur vendimin e anëtarëve që kundërshtuan të shtunën shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Listën Serbe.
Siç ka theksuar ai, problemi i Listës Serbe nuk ka pasur trajtim meritor nga organet e drejtësisë marrë parasysh se që nga momenti i certifikimit si subjekt politik e deri te procesi zgjedhor, sipas tij, vepron tërësisht në mënyrë të kundërt me atë që bëjnë subjektet e tjera politike në Kosovë.
“I mirëkuptoj shqetësimet të ndërkombëtarëve në Kosovë, siç i mirëkuptoj kërkesat edhe të komunitetit serb lidhur me presionin që Lista Serbe e bën ndaj këtyre qytetarëve… Nëse ka institucion që është duke e mbrojtur Republikën e Kosovës edhe në raport me Listën Serbe është KQZ. Është komplet i depolitizuar sa i përket kësaj çështje”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se që në gjenezë të themelimit Lista Serbe ka filluar me shkelje dhe vazhdon me shkelje, teksa ka theksuar se organet e drejtësisë kanë dështuar që me argumente të mjaftueshme për shkeljet e LS-së, nuk kanë vepruar.
