Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.
Krasniqi tha se ky takim vjen në vazhdën e takimeve me misionet diplomatike në Kosovë.
Ai theksoi se pati një diskutim “të hapur dhe pozitiv mbi zgjedhjet e 9 shkurtit, respektimin e vullnetit qytetar dhe përmbylljen e procesit në mënyrë demokratike – ashtu siç e meriton Kosova”.
I pari i PDK-së shtoi se beson se vendi ka nevojë sa më shpejt për një qeveri të re, stabile dhe të përgjegjshme.
“Pavarësisht rrethanave politike, angazhimi ynë për të mirën e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit mbetet i palëkundur. SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik. E falënderova zonjën Prattipati për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në çdo hap të rrugëtimit të saj”, theksoi Krasniqi.
