Kremlini ka mohuar të enjten akuzat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Kina është përfshirë në luftën në Ukrainë, duke theksuar se Pekini mban një “qëndrim të balancuar”.
Deklarata e Moskës vjen pas paralajmërimeve të Kinës ndaj Ukrainës që të përmbahet nga deklaratat “të papërgjegjshme”, pasi Zelensky ka thënë se inteligjenca ukrainase ka identifikuar të paktën 155 shtetas kinezë që po luftojnë përkrah forcave ruse në territorin ukrainas, sipas raportimeve të Reuters.
Zelensky ka akuzuar Moskën për rekrutimin e shtetasve kinezë, duke pretenduar se autoritetet në Pekin janë në dijeni të këtij veprimi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, ka reaguar duke theksuar se Kina mbetet një “mbështetëse e fuqishme dhe promovuese aktive e një zgjidhjeje paqësore të krizës” dhe ka nënvizuar përpjekjet e vazhdueshme të Pekinit për të mos lejuar shtetasit e saj të marrin pjesë në konflikte të huaja.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur rreth deklaratave të Zelenskyt, ka thënë se Rusia nuk po përpiqet ta përfshijë Kinën në luftë.
“Ky nuk është rasti. Kina ka një pozicion të balancuar. Kina është partneri ynë strategjik, miku dhe shoku. Zelensky e ka gabim”, është shprehur Peskov.