Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Komunës së Prishtinës, duke e cilësuar si shqetësuese shpërfilljen ndaj ndërmarrjes publike që është në pronësi të saj, shkruan Ekonomia Online.
Sipas deklaratës, komuna vazhdon të mos i paguajë borxhet ndaj KRM Pastrimi, ndërkohë që ka hyrë në negociata me kompani private për kontrata në vlerë rreth 2 milionë euro.
Ndërmarrja publike thotë se përkundër kërkesave dhe ftesave të përsëritura, autoritetet komunale, përfshirë Kryetarin Përparim Rama dhe Drejtorin Bekim Bestrovci, nuk kanë treguar vullnet për dialog.
KRM Pastrimi paralajmëron se ky veprim jo vetëm që dëmton rëndë ndërmarrjen dhe punëtorët, por përbën rrezik serioz për shëndetin publik dhe mungesë transparence në menaxhimin e shërbimeve komunale.
Kompania kërkon takim urgjent me komunën për të adresuar situatën dhe për të garantuar menaxhim të përgjegjshëm të resurseve publike.