Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka pritur në vizitë ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, i cili më parë ishte në Tiranë.
Kryediplomati gjerman është për një vizitë në rajon, ku do ta vizitojë edhe Kosovën.
Sot ai ka qenë në Serbi, ku u takua me Vuçiqin i cili nuk e përmendi dialogun me Kosovën, por vetëm “rrugën evropiane të Serbisë”.
“Theksova se Serbia i shton rëndësi të jashtëzakonshme bashkëpunimit me Gjermaninë, e cila është një nga partnerët tanë më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm. Diskutuam për projekte të shumta, sidomos në fushat e energjisë dhe infrastrukturës. E falënderova Ministrin Wadeful për mbështetjen që Gjermania i jep zhvillimit ekonomik dhe proceseve të reformave”, ka shkruar Vuçiq në Facebook.
“Ne i kushtuam vëmendje të veçantë rrugës evropiane të Serbisë, stabilitetit rajonal dhe sfidave të shumta globale me të cilat përballemi. Jam i sigurt se takimi i sotëm do të kontribuojë në thellimin e mëtejshëm të partneritetit mes Serbisë dhe Gjermanisë, si dhe vazhdimin e punës së përbashkët në fusha të rëndësishme për të dyja vendet”, ka vazhduar ai.
