41-vjeçari, Burim Havolli, me prejardhje nga Llapi, vdiq tragjikisht më 12 nëntor në Bruklin, pasi u përpoq ta ndalonte një vjedhje në ndërtesën ku ai e mbikëqyrte.
Havolli kishte pësuar trauma të rënda në kokë, dhe vdiq në urgjencën ë Spitalit të Qarkut Kings, shkruan CBS News.
Për vdekjen e tij, kanë folur familjarët e viktimës.
“Ai e donte këtë vend”
Blerim Havolli, vëllai i viktimës, po qante ndërsa fliste për mënyrën se si të dy i mbijetuan luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe ikën në Amerikë për një jetë më të mirë.
“Ai e donte këtë vend. Ky vend na ndihmoi shumë”, tha Blerim Havolli.
“Nuk ka fjalë që mund ta shpjegojnë. Kjo është e trishtueshme. Ai la pas tre [fëmijë] dhe ishte vetëm 41 vjeç”, tha nga ana tjetër Petrit Havolli, një kushëri.
Vëllai, Blerimi, tha se familja po e përballon rëndë vdekjen e Burimit.
“Nuk është e lehtë të rritësh tre fëmijë… 2 vjeç dhe djali vazhdon të pyesë se çfarë po ndodh, pse ka kaq shumë njerëz këtu. ‘Ku është babai im? Telefonojeni, telefonojeni’”, shtoi Blerim Havolli.
“[Ai ishte] shumë i kujdesshëm, gjithmonë aty për të gjithë qiramarrësit e tij, shumë punëtor”, tha banori Alexis Potter.
Në kujtim të Burim Havollit, holli i ndërtesës së tij ishte ndriçuar me qirinj dhe zbukuruar me lule, dhe ishte vendosur një tabelë ku shkruhej: “Me mirënjohje për gjithçka që bëtë dhe me pikëllim për humbjen tuaj”.
Vjedhja e pakove në ndërtesë, një “problem i vazhdueshëm”, thotë qiramarrësi
Një qiramarrës foli gjithashtu me lavde për Burim Havollin dhe i tha CBS Neës New York se vjedhja e pakove është një problem në ndërtesë, duke shtuar se madje është vendosur një tabelë për të paralajmëruar njerëzit për këtë.
“Ai ishte si personi kryesor ku shkoje. Diçka nuk funksionon, po e telefonon. Ai ishte thjesht shumë i sjellshëm dhe i kujdesshëm”, tha qiramarrësi Alexis Charles.
“Ai ishte jashtëzakonisht profesional. Çdo gjë që duhej bërë, ai e bëri”, tha Jeff Fisher. “Ky është një problem i vazhdueshëm në këtë ndërtesë, kështu që kjo të ndodhë, është vërtet një tragjedi”.
“Kam parë një rritje të krimit, njerëz që vjedhin pako, njerëz [të inkurajuar] dhe nuk u intereson”, tha Gail Seton, pronari i ndërtesës ngjitur.
“Ai vdiq duke mbrojtur ndërtesën, duke mbrojtur pakot e qiramarrësve”, tha Blerim Havolli.
Johnny Garcia punoi në ndërtesë së bashku me Burim Havollin për 17 vjet dhe tha se e konsideronte atë vëlla.
“Ne ishim bashkë çdo ditë”, tha Garcia. “Nuk ka fjalë për këtë që ndodhi”.
Familja e viktimës tha se planifikojnë të marrin eshtrat e tij në vendlindjen e tij, në Kosovë, ku dhe do të varroset.
