Raundi i parë i zgjedhjeve për kryetarë komunash, i mbajtur më 12 tetor, nuk prodhoi fitues me mbi 50 për qind të votave në një sërë komunash. Si rrjedhojë, gara në këto komuna vazhdon nesër, kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit këtë të diele për të përcaktuar përfundimisht se kush do t’i udhëheqë gjatë katër viteve të ardhshme.
Balotazhi do të zhvillohet në këto 16 komuna: Kaçanik, Klinë, Mitrovicë e Jugut, Dragash, Vushtrri, Prizren, Fushë Kosovë, Pejë, Prishtinë, Rahovec, Gjilan, Gjakovë, Viti, Obiliq, Suharekë dhe Junik.
Komunat për t’u ndjekur
Mitrovicë e Jugut – praktikisht barazim:
Lëvizja Vetëvendosje, me kandidatin Faton Peci, doli e para me 47.94 për qind të votave, duke e lënë pas me një diferencë minimale kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili siguroi 47.57 për qind.
Tahiri hyn në balotazh dukshëm i konsoliduar, i përforcuar nga mbështetja e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me të cilët ka arritur marrëveshje koalicioni.
Prishtinë: Një nga përballjet më të forta:
Kryetari aktual, Përparim Rama, përfundoi i pari me një avantazh simbolik prej vetëm 0.5 pikë përqindjeje ndaj Hajrulla Çekut të Lëvizjes Vetëvendosje.
Votat e elektoratit të Uran Ismailit, i renditur i treti me 27.65 për qind, pritet të kenë rol përcaktues në këtë garë, potencialisht vendimtar në orientimin e rezultatit final.
Asnjëri nga kandidatët kryesorë nuk ka formalizuar publikisht ndonjë marrëveshje koalicioni, por të dy palët kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunime strategjike pas raundit të parë.
Kaçanik: PDK-ja ka vetëm 1.67 pikë përqindje më shumë se Jeton Raka i Vetëvendosjes. Votat e kandidatit të pavarur Heset Malsiu mund të përmbysn ekuilibrat dhe të vendosin fituesin.
Obiliq: Obiliqi mbetet gjithashtu si një tjetër komunë e nxehtë në këto zgjedhje lokale, ku Xhafer Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje siguruan shumicën e votave, me përkatësisht 46.20 dhe 44.37 për qind, duke lënë hapësirë për një garë tepër të ngushtë në balotazh.
Viti: Në komunën e Vitisë, Sokol Halili nga Lidhja Demokratike e Kosovës kryeson me 38.01 për qind të votave. Ai do të përballet në balotazh me Arsim Ademin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili mori 33.46 për qind. Diferenca aktuale lë të hapur skenarin për një përmbysje të mundshme.
Junik: Gara mbetet mjaft interesante në komunën e Junikut. Ndonëse kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu, ishte shumë pranë fitores që në raundin e parë me 48.89% të votave, ai këtë herë do të përballet në balotazh me kandidatin e AAK-së, Agron Kuçi, i cili ka arritur marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen në këtë komunë.
Fushë Kosovë: Në Fushë Kosovë, Valon Përbreza i Vetëvendosjes, me 45.15 për qind, dhe Besnik Osmani me 36.66 për qind të votave, do të përballen në një garë ku votat e mbetura nga kandidatët tjerë pritet të jenë vendimtare.
