Gjyqtarja franceze Michele Picard është caktuar kryesuese e Panelit të Apelit në rastin Thaçi dhe të tjerët në Gjykatën Speciale në Hagë.
Pjesë e panelit që do të shqyrtojë apelet e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, janë caktuat edhe gjyqtarët: gjermani Kai Ambos dhe norvegjezja Nina Jorgensen.
Kjo është hera e tretë që e njëjta përbërje caktohet në Panelin e Apelit.
Michele Picard si kryesuese dhe Kai Ambos e Nina Jorgensen si anëtare, ishin në përbërje të paneleve të Apelit në Gjykatën Speciale edhe në tri çështje tjera kryesore: rastin Gucati & Haradinaj, rastin “Cali” dhe rastin Pjetër Shala.
Në të trija çështjet, paneli i përbërë nga Picard, Ambos dhe Jorgensen konfirmoi në thelb dënimet, por pranoi pjesërisht disa ankesa dhe uli dënimet e shqiptuara.
Në rastin Gucati-Haradinaj, Ambos kundërshtoi vendimin e shumicës, pra dy anëtarëve të tjerë të panelit, për një akuzë: atë për pengimin e personave zyrtarë përmes kërcënimit serioz. Paneli ua zbuti për tre muaj dënimin me burg Gucatit dhe Haradinajt.
Në rastin e Salih Mustafës, i njëjti panel uli dënimin ndaj të akuzuarit nga 26 në 22 vite burgim.
Ndërsa, në rastin e Pjetër Shalës, paneli i kryesuar nga Picard, në përbërje edhe të Ambos dhe Jorgensen, zbuti për 5 vite dënimin e të akuzuarit – nga 18 në 13 vite burgim.
Kryesuesja e panelit, francezja Picard, ka ndërtuar karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare. Ka punuar në raste që lidhen me konfliktet në ish-Jugosllavi.

Nga viti 2008 deri më 2013, ajo punoi si gjyqtare në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Ishte pjesë vendimmarrëse në Apelin e ICTY në rastin e Jovica Stanishiq, ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb.
Kur gjykata e shkallës së parë e ICTY-s i shpalli Stanishiqin dhe komandantin e Njësisë së Operacioneve Speciale të Serbisë, Franko Simatoviq, të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte, gjyqtarja Picard ishte anëtare e panelit.
Ajo ishte një nga zërat pakicë që kundërshtoi lirimin e Stanishiqit dhe Simatoviqit, por shumica e gjyqtarëve vendosi të lironte dy kriminelët serbë.
“Nëse nuk mund të arrijmë në përfundimin se të akuzuarit i kanë ndihmuar dhe nxitur ato krime, do të thoja se kemi mbërritur në një pikë të errët të së drejtës ndërkombëtare… edhe nëse provat do të vërtetonin “vetëm” se të akuzuarit ishin indiferentë ndaj kryerjes së këtyre krimeve të tmerrshme në ndjekje të objektivit të tyre përfundimtar “ushtarak”, besoj se shumica ka gabuar duke i liruar ata nga të gjitha akuzat’”, kishte arsyetuar ajo në opinionin e ndarë nga shumica e panelit.
Më 15 dhjetor, Dhoma e Apelit e Tribunalit e rrëzoi vendimin e lirimit dhe urdhëroi rigjykim në rastin e Stanishiqit dhe Simatoviqit. Në rigjykim, të dy u shpallën fajtorë dhe secili u dënua me nga 12 vite burgim.
Në Apelin e rigjykimit, dënimet e dy kriminelëve serbë u rritën nga 12 në 15 vite burgim për secilin.
