Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe u.d e presidentes, Albulena Haxhiu, kanë bërë homazhe sot në Abri të Epërme, në përkujtim të 23 martirëve të familjes Deliu dhe dëshmorëve të kombit Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj, të rënë më 26 shtator 1998.
Në 28-vjetorin e rënies së tyre, Kurti dhe Haxhiu kanë nderuar viktimat dhe të rënët në Abri të Epërme, ku gjatë luftës në Kosovë u vranë anëtarë të familjes Deliu, përfshirë fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar.
“Sot, në Abri të Epërme, nderuam 23 martirët e familjes Deliu dhe dëshmorët e kombit, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj, të rënë më 26 shtator 1998, duke mbrojtur popullatën civile nga forcat serbe. Familja Deliu ishte strehuar në mal për t’u shpëtuar sulmeve dhe granatimeve. Forcat serbe i gjetën dhe i vranë nga afër. Mes të vrarëve kishte fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar. Diturije Deliu ishte vetëm gjashtëjavëshe. Ajo u gjet e gjallë nën trupin e nënës së saj, pasi 22 anëtarë të familjes së saj ishin vrarë. Jetoi edhe disa javë dhe vdiq më 19 nëntor 1998. Po atë ditë, pak kilometra më larg, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj po luftonin për të mos lejuar forcat serbe të depërtonin te civilët e strehuar në malet përreth Abrisë”, tha mes tjerash Haxhiu në Facebook.
Ajo shkroi se institucionet vendore kanë për detyrë t’i ndjekin këto krime deri në fund.
“Kosova nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi. Institucionet tona kanë për detyrë t’i ndjekin këto krime deri në fund, pavarësisht sa kohë ka kaluar dhe pavarësisht se ku ndodhen kryerësit. Lavdi dëshmorëve Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj! I përjetshëm qoftë kujtimi për martirët e familjes Deliu”, tha Haxhiu.
