DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
No Result
View All Result

Kurti dhe Rama: Dy stile, dy vizione për gjeopolitikën e hapësirës shqiptare

Shkruar nga Fadil Lepaja

23 Tetor 2025
A A
Kurti dhe Rama: Dy stile, dy vizione për gjeopolitikën e hapësirës shqiptare
Share on FacebookShare on Twitter

Njëri kërkon ta ndryshojë botën përmes parimeve, tjetri ta drejtojë përmes instinktit. Midis etikës së Kurtit dhe estetikës së Ramës endet dilema shqiptare e pushtetit…

Në politikën shqiptare, dy figura e mbajnë prej vitesh skenën në tension dhe kontrast: Albin Kurti dhe Edi Rama. Të dy flasin për drejtësi, komb, zhvillim dhe dinjitet, por secili i përkthen këto fjalë në mënyrën e vet. Si dy hemisfera të së njëjtës gjuhë, ata ndahen jo vetëm nga kufiri, por nga mënyra se si e shohin vetveten në raport me pushtetin dhe publikun. Sot nuk do të merrem me bëmat e tyre, por me stilet dhe orientimin e tyre politik.

Kurti është njeriu i fjalës së përmbajtur. Ai flet ngadalë, me pauza të menduara, si profesor që kërkon ta udhëheqë logjikën e dëgjuesit, jo emocionin e tij. Retorikën e ka të pastër, pa ornament; shpesh e thatë në formë, por e ngarkuar me ndershmëri. Ai e ndien politikën si detyrim moral, jo si spektakël. Kur flet për drejtësinë, i ndrit një zjarr i brendshëm në sy, por ky zjarr nuk shpërthen kurrë në flakë, sepse ai e ruan me disiplinë. Të gjitha lëvizjet e tij; duart e mbledhura, qëndrimi i drejtë, sytë që nuk shmangen, janë pjesë e një koreografie të përmbajtjes. Ai kërkon të dëgjohet, jo të admirohet.

Në anën tjetër, Rama e sheh politikën si artin më të lartë të komunikimit. Ai është orator, aktor dhe regjisor i vetvetes. Fjalimi i tij është performancë; çdo metaforë është goditje, çdo batutë është shigjetë. Ai e përdor gjuhën si piktor që përzien ngjyrat në kanavacë; për efekt, për ndjenjë, për dramë. Kurti kërkon të bindë me ide, Rama me imazh. Kurti kërkon të ndërtojë një rend të ri, Rama ta menaxhojë kaosin me elegancë.

Në gjuhën e trupit kjo ndarje është edhe më e qartë. Kurti qëndron si në një karrige të ftohtë akademike, trup drejt, duar të palëvizshme, fytyrë e përqendruar. Rama qëndron si në skenë: duar që lëvizin gjerësisht, trup që përkulet drejt audiencës, sy që kërkojnë dominim. Kurti është simbol i përmbajtjes, Rama i ekspresionit. Kurti lë përshtypjen e ndershmërisë që ndonjëherë bëhet kokëfortësi; Rama të dinakërisë që ndonjëherë bëhet art manipulimi.

Shtrëngimi i duarve mes tyre është metafora e marrëdhënies së tyre: Kurti e shtrëngon dorën me respekt institucional, Rama e tërheq me shkathtësi miqësore, si për ta vendosur kornizën e vet në çdo takim. Në fotografi, Rama kërkon këndin, Kurti ruan dinjitetin. Njëri sundon skenën, tjetri mbron parimin.

Në thelb, janë dy filozofi të pushtetit. Kurti beson se forca vjen nga e drejta; Rama se e drejta vjen nga aftësia për ta ushtruar forcën. Kurti është dogmatik në parim, Rama fleksibil në qëllim. Kurti beson se populli duhet ta mësojë lirinë; Rama se duhet ta ndjejë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse njëri shihet si simbol i idealizmit, tjetri si mjeshtër i realpolitikës.

Por përtej kontrasteve, ka një vijë të përbashkët: të dy janë produkte të një hapësire shqiptare që kërkon liderin si figurë morale dhe emocionale në të njëjtën kohë. Njëri ofron etikën, tjetri estetikën e pushtetit. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron drama jonë politike, ndërmjet njeriut që kërkon të jetë i drejtë dhe atij që kërkon të jetë i efektshëm.

Në fund, Rama flet përmes metaforave, Kurti përmes parimeve; Rama prek emocionin, Kurti ndërton argumentin. Njëri luan me dritën, tjetri e mat hijen. Në një botë ideale, ndoshta Shqipëria dhe Kosova do të kishin nevojë për një përzierje të të dyve; ndershmërinë stoike të Kurtit dhe inteligjencën teatrale të Ramës. Por politika, si gjithmonë, është art i të (pa)mundshmes: ajo prodhon kontrast, jo harmonizim.

Derisa njëri mbetet portreti i ftohtë i dinjitetit, dhe tjetri tabloja e ngrohtë e pushtetit, historia jonë politike do të vazhdojë të lëkundet mes dy skajeve të së njëjtës pyetje: a është më i vlefshëm ai që nuk gënjen, apo ai që di si ta thuash të (pa)vërtetën me stil?

Ka më shumë se njëzet vite që kam shkruar një artikull me titull “Egalitarizëm apo efikasitet”, një dilemë që asokohe i atribuohej dy vizioneve për të ardhmen e Kosovës; njërës të ashtuquajtur vijë e luftës dhe tjetrës të partive që vetë-diferencoheshin si qytetare. Që atëherë, realiteti ka ndryshuar shumë, në Kosovë, në Shqipëri dhe në përgjithësi në hapësirën shqiptare të Ballkanit. Ka ndryshuar edhe gjeopolitika e rajonit nën trysnitë e revolucionit teknologjik, shkencor dhe energjetik. Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë më një politikë autoktone, përveçse nëse duan të ringjallin internacionalizmin proletar dhe të bëhen “sërish” qendra e revolucionit botëror, ose të marrin “sërish” bajrakun e islamizmit dhe të rreshtohen me Lindjen.

Çdo politikë shqiptare në rajon është kompromis, por deri në çfarë shkalle dhe me kë?
Dikush ka thënë se progresi varet nga të paarsyeshmit, pasi ata përpiqen ta ndryshojnë botën sipas nevojave të veta, ndërsa të arsyeshmit përshtaten.
Parimet apo interesi?
Do të shohim gjithsesi. Nëse nuk e ndryshojmë botën, ndoshta do të duhet të mësojmë të përshtatemi./Pamfleti

KATEGORITË

  • Botë (1 121)
  • Drejtësi (1)
  • Ekonomi (4)
  • Konkurs (2)
  • Lajme (13 093)
  • Mish Mash (1)
  • Mish Mash (1)
  • Opinione (10)
  • rajon (4)
  • Showbiz (68)
  • Sport (133)
  • TV (56)
  • Vendore (80)
  • Zgjedhjet 2025 (815)
  • Rreth nesh
  • Reklama
  • Privatësia dhe Politika
  • Contact

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com