Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, të cilën e ka falënderuar për angazhimin e NATO-s për paqe, siguri dhe stabilitet.
Gjatë takimit, Kurti ka diskutuar për mundësinë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të ndjekin trajnimet ushtarake edukuese të NATO-s, si dhe për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e Aleancës.
Temë e diskutimit ka qenë edhe përgatitja e FSK-së për misionin në Gaza në kuadër të Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare.
“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, njofton ZKM.
Kurti theksoi se Kosova është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO.
Ndërkohë, drejtorja e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, vlerësoi lartë vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza.
