Kryeministri Albin Kurti, ka emëruar Jeton Zulfajn, ish-këshilltarin e tij, kryenegociator të Kosovës në dialogun teknik në BE me Serbinë.
Në njoftim u bë e ditur se Zulfaj do të koordinojë procesin e integrimit evropian të Kosovës, i mbështetur nga strukturat përkatëse shtetërore.
“Z. Zulfaj u emërua gjithashtu Koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), duke shërbyer si autoriteti kryesor koordinues në emër të Qeverisë për të gjitha çështjet që lidhen me këtë instrument, përfshirë rolin si pikë e vetme kontakti me Komisionin Evropian dhe mbikëqyrjen e zbatimit të mbështetjes së BE-së”.
Pozita e kryenegociatorit para Zulfajt mbahej nga Besnik Bislimi, i cili u degradua fort duke u emëruar si udhëheqës të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Përveç rolit si kryenegociator me BE-në, sipas njoftimit, Zulfaj do të jetë edhe Koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), duke shërbyer si autoriteti kryesor koordinues në emër të Qeverisë për të gjitha çështjet që lidhen me këtë instrument.
Zulfaj shërbeu si këshilltar politik i kryeministrit Kurti nga 2021-a deri më tani. Megjithatë, Zulfaj u barrikadua pro-Lëvizjes Vetëvendosje vetëm që nga ai vit.
Ai kishte shërbyer më herët edhe si këshilltar i Fatmir Limajt. Megjithatë, kjo përvojë pune nuk i ka konvenuar të përfshihet në CV-në e tij. Zulfaj ka mohuar disa herë faktin se ka bashkëpunuar me Limajn.
“Unë nuk kam punuar kurrë në asnjë qeveri, përveç Kurti I dhe tani Kurti II. Kam punuar në shoqërinë civile për 15 vjet, një pjesë të mirë të së cilës në projekte kundër korrupsionit”, kishte deklaruar në një postim në ‘Facebook’ Zulfaj.
Ai ka qenë pjesë e narrativës së Lëvizjes Vetëvendosje. Në debatet politike, qëndrimet e tij kanë qenë më shumë në linjë me mbrojtjen e politikave të qeverisë Kurti.
Po ashtu, Zulfaj kishte marrë përsipër disa herë t’i reagonte përfaqësuesve diplomatikë të shteteve mike, kur këta të fundit kritikonin ndonjë vendim të qeverisë Kurti.
