Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 8 ankesa.
Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen katër nga to, tri të refuzohen dhe një ankesë të shpallet e patrajtueshme.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.
KMShK ka miratuar ankesën e Youth Initiative for Human Rights in Kosovo (YIHR KS) kundër VOX Kosova për videon me titull “Audioincizim ekskluziv: Zyrtarët e Speciales iu ligjëruan nxënësve se UÇK dyshohet se ka kryer krime”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK ka miratuar ankesën e Agim Vincës kundër Botasot.info për mospublikimin e përgjigjes ndaj një shkrimi, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK ka miratuar ankesën e Vjollca Nikollbibaj-Kuzhninit kundër Sinjali.com për publikimin e një fotolajmi, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli V i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me prezumimin e pafajësisë,
KMShK ka miratuar ankesën Korporatës Energjetike të Kosovës Sh.A. kundër Rajoni.org për shkrimin me titull “Kompania që merret me përpunimin e erëzave dhe salcave fiton tender milionësh në KEK për furnizim me rule për paisje xehtare”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Gent Zeqirajt kundër Paparaci.com dhe Insajderi.org për shkrimin me titull “Si ra viktimë e fajdeve djali i afaristit multimilioner Milazim Zeqiraj”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me mbrojtjen e burimeve dhe privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Enver Hasanit kundër Kallxo.com për shkrimin me titull “Senati i UP-së i miratoi masat disiplinore ndaj Enver Hasanit”, duke konstatuar se nuk janë shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht Kapitulli IV, i cili ka të bëjnë me të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Shqipdon Millakut kundër Klankosova.tv për publikimin e një fotografie, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me mbrojtjen e burimeve dhe privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Zafer Gashit kundër T7 Sh.P.K. pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet e transmetuara në televizion. Pala ankuese mund t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
