Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sonte fushatën e sa zgjedhore në Prishtinë, me thirrjen që të dielën qytetarët të dalin dhe të votojnë për kandidatin e kësaj partie për kryetar të ri të kryeqytetit Përparim Rama.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se presin fitore në zgjedhjet e së dielës.
Abdixhiku: LDK e Përparimi ka fituar me punë dhe jo me propagandë
“Prishtina që u zotuam se do ta duam me plot me zemër, flet me shkollë që kanë ndryshuar, flet me mësimin tërë-ditor, flet me rrugë që lidhen me unaza që marrin jetë dhe lagje që marrin frymë, flet me vizionin tonë të qartë me njerëzit tanë të ndershëm në shërbimin e qytetit. Kryeqyteti është dëshmia më e mirë e suksesit dhe vizionit të Përparim Ramës, duke sjellë ndryshime të mëdha në arsim. Fëmijët e Prishtinës sot mësojnë më shumë dhe kanë më shumë përgatitje për jetën, dhe prindërit e dinë se fëmijët e tyre janë më të sigurt në shkolla moderne dhe kushte më të mira. Ne e bëjmë një Prishtinë, do ta bëjmë gjithandej nëpër Kosovë… Prishtina është më e fortë se propaganda, sepse puna e ndershme gjithmonë fiton mbi lojën politike. LDK e Përparimi ka fituar me punë dhe jo me pallavra e me propagandë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka folur mbi projektet që do të përfundojnë projektet si rruga A, projekti i unazës së brendshme dhe ndërtimin e shesheve të reja, duke thënë se Prishtina ka nevojë për qeverisje serioze me Përparim Ramën kryetar në katër vjetët e ardhshme.
Abdixhiku: Prishtina nuk ka kohë për lojëra politike, por ka nevojë për qeverisje serioze
Rama: Prishtina nuk u bllokua kurrë, vazhdojmë edhe katër vjet
“Prishtina nuk u bllokua kurrë. Asnjë lojë politike nuk mundi ta ndalë vizionin për një Prishtinë moderne, sepse ajo është përgjegjësi, dashuri dhe detyrë…Prishtina ecë përpara me vizon dhe transparencë, dhe me besimin e juaj të qytetarëve…Kemi bërë gjëra të mëdha që na kanë qitur në harta botërore. Qytetarët e Prishtinës e dinë kush ka ndërtuar ura dhe kush ka ngritur pengesa. Në mandatin e dytë do ta çojmë Prishtinës Përtej. Projektet që ka nisur nuk do të ndalen, por do të bëhen realitet. Do të bëjmë unazën e jashtme, spitalin e kryeqytetit, do të zgjerojmë mësimin tërë-ditor në të gjitha shkollat, do të ndërtojmë shkolla moderne, çerdhe të reja, qendra sociale dhe do të hapim edhe fshatin olimpik, zemrën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka thënë Rama.
Ai tha se do të ndërtojnë edhe parkun më të madhin në 25 vjetët e fundit, parkun memorial “Ibrahim Rugova” dhe memorialin “Adem Jashari”, ndërtimin e qendrës teknologjike dhe inteligjencës artificiale për të rinjtë.
Në këtë tubim janë prezantuar edhe kandidatët për asamblistë nga radhët e LDK-së në Prishtinë.