Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës që do të mbahet të premten, më 25 shtator, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Protesta, e organizuar me ftesë të Organizatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të nisë në ora 17:30 në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në Drenas.
Lladrovci ka bërë thirrje që qytetarët të marrin pjesë në mënyrë të qetë, dinjitoze dhe demokratike, duke shprehur përkrahjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Në ftesën e tij, ai ka deklaruar se qytetarët e Drenasit nuk do të lejojnë, siç është shprehur, “rishkrimin e historisë së UÇK-së dhe Republikës së Kosovës”.
Ai ka theksuar gjithashtu se lufta e UÇK-së ishte, sipas tij, një luftë e drejtë për çlirimin e Kosovës dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
