Pranverën e 1999, nga 2 deri më 4 prill, në Kralan të Gjakovës forcat serbe kishin ndarë burrat në një anë, dhe gratë e fëmijët në anën tjetër.
Këta të fundit i dëbuan për në Shqipëri, ndërsa ata që mbetën, përjetuan dhunën e shfrenuar nga forcat serbe, të cilët më pas edhe i vranë e i dogjën.
Maliq Kryeziu është babai i një prej të vrarëve në këtë masakër, i cili deri vitin e kaluar nuk kishte se ku të vajtonte të birin e tij.
Ai tha se 10 vitet e para e ka mbajtur pak shpresa se mund të jetë i gjallë djali i tij.
“Mirëpo, ajo shkoi huq, dhe në fund na lajmëruan se janë gjetur tre nga komuna e Malishevës, që kanë qenë të kidnapuar në Kralan, në mesin e të cilëve ka qenë edhe djali im, Mentori”.
“Mua më kanë ndarë nga djali në Kralan, ma kanë marrë nga dora, dhe kur jam kthyer nga Shqipëria, i kam parë vetë në Kralan diku rreth 10 vende që ka pasur trupa të djegur, grupe-grupe. Një fshatar i Kralanit tha se i kanë ndarë grupe-grupe dhe i kanë vrarë e i kanë djegur më pas”, deklaroi Kryeziu.
Ai tha se gjetja e eshtrave të të birit të tij ka qenë lehtësim për të dhe familjen.
Ndër të tjera, Kryeziu kujton momentet kur ia kanë rrëmbyer djalin.
“Më kujtohen momentet e kidnapimit, marrjes së tij. Edhe pse thonin se po i marrim për me punu diçka, këto kanë qenë rrena e gënjeshtra të tyre”, tha Maliq Kryeziu, mes tjerash.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Masakra e Kralanit, e 4 prillit të vitit 1999, mbetet një nga ngjarjet më tragjike dhe të dhimbshme të periudhës së luftës në Kosovë. Kjo masakër shënon një nga momentet më të errëta të luftës, gjatë të cilës humbën jetën gjithsej 86 civilë shqiptarë, prej të cilëve 4 kanë qenë gra, dhe 82 burra, ndërsa fëmijë nga mosha 0 deri në 17 vjeç kanë qenë 7. Disa nga ta ende rezultojnë të zhdukur.
