Referendum për shkëputjen e Republikës Sërpska (RS), heqje të kompetencave të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e këtij entiteti dhe tërheqje nga institucionet shtetërore.
Këto janë opsionet me të cilat kërcënon Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska, nëse Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës e dënon për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.
Përveç Dodikut, në gjyq është edhe Millosh Llukiq, ushtrues i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së.
Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me dënime me burgim deri në pesë vjet, shkarkim nga detyra dhe ndalim të ushtrimit të funksionit.
Fjala përfundimtare në gjyqin ndaj Dodikut dhe Llukiqit paraqiten më 19 shkurt, pas së cilës trupi gjykues ka tri ditë kohë për të marrë një vendim – afat që, sipas kërkesës së tyre, mund të zgjatet.
Dodik, bashkëpunëtorët e tij politikë dhe partnerët e koalicionit, në një takim në Banja Llukë më 17 shkurt në mbrëmje, vendosën se RS-ja është “e gatshme për marrjen e vendimeve radikale” nëse shqiptohet një vendim dënues.
Pas takimit, u bë e ditur se të gjithë përfaqësuesit e Republikës Sërpska në institucionet shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës do ta ndërpresin punën në rast të një vendimi dënues.
Gjithashtu, u njoftua për një iniciativë që Kuvendi Popullor i RS-së të jetë në “seancë të përhershme, për shkak të situatës aktuale shoqërore dhe politike”.
Kushtetuta e RS-së tashmë përcakton që ky organ legjislativ të punojë në seancë të përhershme, ndërsa seancat e tij thirren nga kryetari i Parlamentit.
Në ditën e seancës përfundimtare, më 19 shkurt, Qeveria e RS-së do të takohet me të gjithë kryetarët e komunave dhe kryetarët e qyteteve të RS-së, pas së cilës do të mbajë një mbledhje.