Presidenti kroat Zoran Milanoviq deklaroi sot në Shkup se Serbia nuk duhet të shqetësohet për deklaratën mbi bashkëpunimin në mbrojtje midis Kroacisë dhe Shqipërisë dhe Kosovës.
“Nuk kam marrë pjesë në përgatitjen dhe miratimin e këtij dokumenti, por si president i vendit dhe komandant suprem i forcave të armatosura, e mbështes atë memorandum. Dhe në një farë mënyre dua t’i siguroj vendet fqinje, le të themi Serbinë, se nuk ka probleme me të, ose se nuk duhet të ketë asnjë. Dhe, Maqedonia e Veriut është në NATO dhe kjo është e mjaftueshme”, tha Milanoviq.
Ai e tha këtë në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, kur u pyet se cilat ishin pritjet e tij nga marrëveshja për bashkëpunim ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, transmeton Klankosova.tv
“Marrëveshja që përmendët nuk është një marrëveshje, është një deklaratë, domethënë një memorandum. Është një dokument, i cili u nënshkrua në formën e procesverbalit nga tre ministrat e mbrojtjes. Nga aspekti i sistemit kushtetues kroat, ajo nuk i plotëson kërkesat për të qenë një marrëveshje ndërkombëtare, por një deklaratë, në një farë mënyre, pa pasoja ligjore ndërkombëtare”, deklaroi ai.
“Janë Kroacia dhe Shqipëria ime, anëtare të NATO-s dhe Kosova, vendi ynë mik që ende nuk është njohur në BE dhe nuk është pranuar. Nëse do të përfaqësoja Maqedoninë (e Veriut), nuk do të mendoja fare për këtë. Nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, por është në trajektoren e politikës së jashtme kroate”, tha presidenti kroat.
Milanoviq, i cili ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Shkup, pas takimit me Siljanovska Davkov, do të takohet edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.