Ndryshimi i rregullave gjatë procesit është i rrezikshëm, për më tepër, tentimi për votim të fshehtë me rastin e zgjedhjes së Kryetarit/es së Kuvendit cenon rëndë parimin e transparencës së punës së të zgjedhurve të popullit, të cilët ndonëse puna po u ngelët në tentativë, paga po u ecën.
Kuvendi është tashmë në krizë, për daljen nga e cila duhet konsultime në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe reflektim nga ana e tyre, e në këtë drejtim përgjegjësinë më të madhe e ka fituesi i zgjedhjeve.
Kur dëgjohen pozicionet e subjekteve politike, për dalje nga kjo situatë, përfshirja e Presidentes si institucion me mandat legal e legjitim, është e nevojshme, madje e domosdoshme.
Një gjë të tillë është përcaktuar edhe me Kushtetutë, ngase është kompetencë e Presidentit/es, me garantu funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë.
Vlen të theksohet se për aq kohë sa nuk ka një vendimmarrje nga ana e Kuvendit, adresimi eventual në Gjykatë Kushtetuese, lehtësisht mund të jetë një pritje jo racionale, ngase lehtësisht kjo e fundit mund të refuzojë së trajtuari “çështjen”.
Po ashtu duhet theksuar se Kushtetuta nuk parasheh dispozitë apo rrethanë që për shkak të deshtimit të të zgjedhurve të popullit me zgjedh Kryetarin e Kuvendit, vendit duhet të shkoj në zgjedhje të reja parlamentare, këtë e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese në piken 126 të Aktgjykimit, rasti Nr. KO119/14 i vitit 2014.