Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, komentoi situatën e krijuar në Kuvend.
“Po më duket që disa ende nuk e kanë të qartë se çfarë ka bërë opozita me 15 prill.
Raporti për verifikim të mandateve më 15 prill, u hodh në votim, dhe u refuzua si rezultat i votave të PDK, LDK, AAK, dhe Listës Serbe.
Një çështje për të cilën Kuvendi ka vendimmarrje, nuk mund të hidhet në rivotim. Votimi është konsumuar.
Në rivotim çështja hidhet vetëm nëse herën e parë nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje, siç ka qenë rasti në vitin 2014, me vetëm 44 deputetë që kanë marrë pjesë në votim herën e parë.
Pas këtij vendimi katastrofal të opozitës, vendimmarrja në Kuvend gjendet e bllokuar para një muri të pakapërcyeshëm. Deputetët s’mund të japin betimin, sepse kanë refuzuar verifikimin e mandateve të veta.
Një refuzim i tillë sikurse ky i partive të opozitës, nuk ka ndodhur asnjëherë.
Praktikisht, kjo i bie se deputetët kanë refuzuar mandatin, dhe procesi duhet të kthehet në pikën zero – pra një proces i ri zgjedhor i cili prodhon një legjislaturë të re e cila, ka sensin që të pranojë mandatin e dhënë nga populli.
E vetmja rrugë tjetër për të evituar skenarin e zgjedhjeve të reja, është një dakordim unanim politik, ku vetëm deputetët që kanë refuzuar mandatin me votën e tyre, tërhiqen dhe ua lëshojnë vendin e tyre kolegëve tjerë nga i njëjti subjekt. Një gjë e ngjashme kishtë ndodhur në legjislaturën që lamë pas me deputetët e Listës Serbe’, shkroi në facebook Murati.