Ish-kryetari i LDK-së kritikon zërat brenda partisë që flasin për rikthimin e presidentes, duke thënë se ata nuk përfaqësojnë qëndrimin e vërtetë të LDK-së.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se ata që kërkojnë rikthimin e presidentes Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) nuk janë përfaqësues të vërtetë të kësaj partie, por sipas tij më shumë përfaqësojnë interesat e Lëvizjes Vetëvendosje brenda saj.
Mustafa tha se kërkesat për rikthimin e Osmanit në LDK vijnë nga persona që, sipas tij, nuk përfaqësojnë linjën e partisë.
“Do të thosha që ata që kërkojnë kthimin e Vjosës në LDK, më së paku janë eksponentë të LDK-së. Shumë më shumë janë eksponentë të VV-së të ndenjur në LDK”, tha Mustafa.
Komentet e tij vijnë pasi disa zyrtarë të LDK-së kanë shprehur gatishmëri për rikthimin e Osmanit në parti, në rast se ajo do të largohej nga bashkëpunimi me Vetëvendosjen.
Më 4 mars, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, kishte deklaruar se partia është e hapur për rikthimin e saj.
“LDK është shtëpi e madhe”, tha ajo kur u pyet nëse Osmani mund të rikthehej në parti apo të ishte pjesë e listës së saj në zgjedhjet e ardhshme.
Osmani ishte larguar nga LDK-ja në vitin 2021, kur themeloi iniciativën politike GUXO dhe hyri në koalicion me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Në ato zgjedhje, Kurti garoi për kryeministër, ndërsa Osmani për presidente, dhe pas fitores së thellë të Vetëvendosjes me mbi 50 për qind të votave, ata morën dy postet kryesore shtetërore.
