Besian Mustafa, kandidat për deputet i LDK-së, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka bërë ndonjë projekt që është në të mirë të qytetarëve për katër vjet.
Në një konferencë për media, ai ka theksuar se për të ndryshuar situatën në vend duhet të kuptohet se zgjedhjet e 9 shkurtit janë vendimtare për ndryshimin në Kosovë.
“Ju bëj thirrje qytetarëve të Kosovës këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tuaj. Nëse nuk e duroni faktin se fëmijët tuaj po largohen se nuk kanë perspektivë të qëndrueshme këtu, nëse nuk mund të përmendi më shumë se dy projekte që ka realizuar kjo qeveri në krye me LVV-në”.
“Ose nëse si nëna dëshironi të gjeni një vend pune, por nuk mundeni sepse kjo qeveri nuk arriti të zbatojë mësimin gjithëditor në shkollat e fëmijëve tuaj atëherë e kuptoni shumë mirë se pse këto zgjedhje janë vendimtare”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka shtuar se LDK-ja duhet të votohet nga qytetarët që të vie ndryshimi në vend.
“Ju mund të vini në tubimet tona të bashkëbisedoni me ne, ju mund të bisedoni me familjarët tuaj, miqtë tuaj, prind tuaj e fëmijët tuaj dhe t’u tregoni atyre se pse votimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës është mënyra e vetme për të sjellë ndryshimin në Kosovë”.
“Ndryshimin që do të vie për shkak të ekipit që ka LDK-ja në krye me Lumir Abdixhikun, sepse LDK-ja është e vetmja parti me program e vetmja parti me plan të qartë për të ardhmen e Kosovës, dhe me aftësi për të realizuar atë plan. Andaj, ju bëj thirrje të bisedoni me prindërit, fëmijët, miqtë e familjarët tuaj, bindni ata që më 9 shkurt ata të votojnë 124 LDK, që të vie ndryshimi”, ka theksuar Mustafa.
