Në vitin 2024 janë konfiskuar mbi 272 mijë mallra të falsifikuara në vlerë të përgjithshme 12.5 milionë euro, bëri të ditur përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Driton Azemi, raporton Ekonomia Online.
Këtë të dhënë e paraqiti në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, që e shënoi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Pronësi Industriale.
“Dogana e Kosovës që nga fillimi ka marrë përgjegjësitë dhe rolin e saj me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe i ka kryer të gjitha detyrat e saj. Këtu po e veçoj se vetëm gjatë vitit 2024 ne kemi shqyrtuar 148 kërkesa për veprim doganor në fushën e të drejtave pronësisë intelektuale, ndërkaq 601 kërkesa që kanë të bëjnë me marka tregtare si dhe 40 kërkesa për të drejtat e autorit. Si rezultat i këtij angazhimi dhe falë bashkërendimit të ngushtë me të gjithë akterët të tjerë relevantë gjatë vitit 2024 Dogana e Kosovës ka iniciuar 805 raste për verifikimin e mallrave me dyshim për shkelje të pronësisë intelektuale. Ka arritur të konfiskojë mbi 272 mijë artikuj të cilët pas verifikimit janë konstatuar si mallra të falsifikuara me një vlerë të përgjithshme prej 12.5 milionë euro”, tha Azemi.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se qeveria e ka kuptuar rëndësinë e pronësisë intelektuale, andaj atë e ka shndërruar në politikë publike konkrete.
“Përmes markave tregtare kanë avancuar në ruajtjen e pronësisë intelektuale, derisa përmendi se janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve ndër vite të markave tregtare. Pronësia intelektuale është e rëndësishme në shekullin e teknologjisë dhe revolucionit industrial. Pronësia intelektuale është shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të Kosovës”, tha Hajdari.
