Që mos-zgjedhja e presidentit automatikisht dërgon në shpërndarje të Kuvendit e patën mëse të qartë. Por, partia në pushtet me më shumë se 51% të votave që i priu valles, së bashku me partitë opozitare, s’gjetën dot interesimin dhe konsensusin për një emër të përbashkët që Kosovës do t’ia garantonte shmangien e një krize të ardhshme dhe, edhe një palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Të martën që lamë pas, kreu i Qeverisë, Albin Kurti, u takua me kryetarin e LDK-së takim ky që nuk solli gjë konkrete, ndonëse deklaroi se e biseda është zhvilluar në një frymë pozitive.
“Takimi shkojë në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti”, tha Kurti.
Ndërsa, Abdixhiku pas këtij takimi nuk foli por që pas takimit të hënës tha se marrëveshja politike nuk është më opsion real dhe se, sipas tij, mungon vullneti për konsensus.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza të mërkurën ka folur për komunikimin e fundit që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Sipas Hamzës, komunikimi mes tyre nuk ka sjellë rezultat konkret, pavarësisht diskutimeve dhe veprimeve që janë ndërmarrë deri më tani.
Ai tha se me këtë bisedë është mbyllur komunikimi mes tyre për këtë çështje, duke ia lënë Kurtit që të vazhdojë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, siç u shpreh, “me të tjerë”.
“Unë e kam informuar sot, në komunikimin tonë sot, të fundit, e kam informuar që kjo çka kemi biseduar deri tani, të gjitha veprimet që i kemi bërë, nuk kanë rezultuar me sukses, këtu përfundon komunikimi ynë, unë të dëshiroj sukses ta zgjedhësh presidentin me të tjerët”, tha Hamza.
Jasharajt u’a dhanë një ‘JO’ të pastër, duke kristalizuar kërkesën që emri i familjes të mos përdoret për kalkulime politike.
U vetëkandidua edhe ish-ministri i PDK-së, Arsim Bajrami, që nuk është që gjeti fort përkrahje, e më pas u bë ‘pishman’ dhe e tërhoqi kandidaturën.
Të enjten e 5 marsit, ditën e fundit të afatit kushtetues para se të shkohet drejt zgjedhjeve përsëri, u mbajt seanca që u pa si farsë e turp për Kuvendin që kishte ftuar deputetët pa i njoftuar formalisht. Seanca ishte paraparë që të fillonte në 20:00, mirëpo Agjenda u shkoi deputetëve rreth 30 minuta më vonë.
Në të njëjtën seancë që nuk u arrit as kuorumi për presidentin, për shkak që të gjitha partitë opozitare e braktisën Kuvendin.
Presidentja Vjosa Osmani, të premten ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretin në të cilin shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Prandaj sot në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit dhe përmes këtij dekreti kam kryer detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë”, tha Osmani.
Ndërkaq, të enjten Osmani njoftoi se i ka proceduar në Kuvendin e Kosovës amendamentet kushtetuese që synojnë mundësimin e zgjedhjes së presidentit nga qytetarët përmes votës së drejtpërdrejtë, ku kjo nuk u miratua nga kuvendi për shkak të votave të pamjaftueshme.
