Një person ka mbetur i lënduar në një vetaksident me motoçikletë në rrugën “Kral Petri”, në magjistralen Mitrovicë–Zveçan.
“Në këtë aksident ka qenë i përfshirë motoçiklisti F.A., 67 vjeç, i cili ka shkaktuar vetaksident dhe si pasojë ka pësuar lëndime trupore”, tha policia në njoftim.
Policia e Kosovës tha se zyrtarët e saj i kanë dhënë ndihmën e parë të lënduarit deri në ardhjen e shërbimit emergjent mjekësor, të cilët më pas e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Pas trajtimit mjekësor, personi i lënduar është liruar.
Policia tha se ka kryer vend shikimin dhe është duke punuar për të identifikuar shkaqet e aksidentit.
“Personit të përfshirë i është bërë matja me alkool-test dhe ka rezultuar se ishte nën ndikimin e alkoolit me 0.53‰”.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë ngasësve, e sidomos motoçiklistëve, “që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor, të shmangin shpejtësinë e tepruar dhe assesi të mos ngasin nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera që dëmtojnë aftësinë për ngasje të sigurt, gjithashtu Policia apelon që të gjithë motoçiklistët të vendosin helmetën mbrojtëse gjatë ngasjes”.
“Përkujtojmë se siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët dhe vetëm me kujdes të shtuar dhe respektim të ligjit mund të parandalojmë aksidente të tilla dhe të ruajmë jetën tonë dhe të tjerëve”.