Një rast i rëndë ka ndodhur më 11 mars të këtij viti në qytetin e Ferizajt.
Në një shkollë të mesme të ulët në këtë Komunë, një punëtor teknik i moshës 64 vjeçare ka sulmuar seksualisht një të mitur, të moshës 10 vjeçe.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar ditë më parë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Kanun Veseli.
Ai ka thënë se i dyshuari pas intervistimit është ndaluar për 48 orë.
“Më datën 11.03.2026 hetuesit rajonal janë njoftuar për një rast sulmi seksual në një shkollë të mesme të ultë në Ferizaj. Viktimë ishte një nxënëse e mitur (10 vjeçe) Ndërsa i dyshuari një 64 vjeçar punëtor teknik në këtë shkollë, i cili me datën 12.03.2026 është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit për të mitur, është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetuesit janë autorizuar të vazhdojnë veprimet hetimore”, ka thënë Veseli.
Në lidhje me rastin, sot detaje për lajmi.net ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Në një përgjigje me shkrim, Prokuroria në Ferizaj ka thënë se kanë parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit N.I.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit N.I., për shkak të dyshimit të veprës penale “Sulmi seksual” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
E për kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për lajmi.net kanë dhënë detaje edhe nga Gjykata Themelore në këtë qytet.
Ata kanë thënë se në seancën dëgjimore që është mbajtur më 13 mars të këtij viti, ndaj të dyshuari N.I është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Nga zyra e gjyqtares së çështjes jemi njoftuar se: Gjykata Themelore në Ferizaj më datë 13.03.2026 ka mbajtur seancën dëgjimore në çështjen penale kunder te pandehurit N.I., dhe me aktvendimin e datës 13.03.2026 ka Refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimti, për të cilën ndaj të njejtit është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, thuhet në këtë përgjigje.
