Për shkak se ekspertët nuk kanë arritur ta përfundojnë ekspertizën, është ndërprerë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ish-zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj.
Në këtë rast, Bahri Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Driton Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke ia mundësuar OE “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë kundërligjshëm tenderin dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Eksperti i prokurimit, Hasim Krasniqi deklaroi që kanë filluar punën rreth ekspertizës, mirëpo për shkak të kompleksitetit të lëndës iu duhet afat shtesë për përfundim të saj.
“Kemi filluar punën, por për shkak të kompleksitetit dhe që është shumë voluminoze, nuk kemi arrit me përfundu raportin për këtë ekspertizë. Andaj, edhe me kërkesë të dy kolegëve tjerë ekspertë, kam ardhë sot në seancë për të njoftuar Gjykatën dhe që të na jepet kohë edhe hapësirë që të paktën edhe për 30 ditë për të përmbyllur raportin dhe ta dërgojmë në Gjykatë”, tha eksperti.
Palët nuk e kundërshtuan kërkesën për afat shtesë lidhur me përfudimin e ekspertizës, andaj kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, mori aktvendim me të cilin ua dha ekspertëve një afat prej 30 ditëve për përpilimin e ekspertizës.
Për shkak se nuk kishte kushte ligjore për të vazhduar me seancë, e njëjta u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër.
Në seancën e 20 nëntorit 2024, Gjykata kishte caktuargrupin prej tre ekspertëve nga fusha financiare, prokurimit dhe e fushës përkatëse të aviacionit për përpilim të ekspertizës së re.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas aktit akuzues, Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Të njëjtit, me këto veprime, thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.