Tragjedia që tronditi Euboenë dhe Beotinë mori një dimension edhe më të rëndë dhe dhimbshëm. Nëna e 27-vjeçarit shqiptar punëtor ndërtimi, i gjetur i djegur brenda një makine në Skurta të Beotisë më 8 nëntor, ndërroi jetë dje nga një arrest kardiak, e pamundur të përballonte humbjen e djalit të saj.
Në të njëjtën kohë, dalin detaje shokuese për vrasjen e tmerrshme të të riut nga Khalkidha.
Sipas informacioneve të para, 27-vjeçari shkoi në Vilia për të takuar një grua që kishte njohur përmes një aplikacioni takimesh. Por në vend të një takimi, ishte kurdisur një pritë e organizuar mirë.
Sipas të dhënave deri tani, autorët e mbajtën peng për rreth 24 orë, e torturuan, pastaj e qëlluan për vdekje. Më pas, trupin e transferuan në Skurta dhe i vunë zjarr makinës për të zhdukur gjurmët.
Vetura ku u gjet kufoma ishte raportuar e vjedhur në maj nga Glifadha dhe mbante targa nga një makinë tjetër në Pieria. Ky detaj, sipas policisë, tregon se prapa krimit mund të qëndrojë një rrjet i organizuar me metodë “profesionale”.
Hetuesit e Departamentit të Vrasjeve besojnë se 27-vjeçari u vra në një vend tjetër dhe më pas u transportua në zonën e shkretë ku u gjet makina e djegur.
Celulari, çelësi i çështjes Policia vazhdon kërkimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në qendër të vëmendjes është telefoni i viktimës, ende i pagjetur, por që besohet të përmbajë informacione kyçe për personat që e nxitën në kurth.
Ky krim i tmerrshëm ka ngrirë shoqërinë lokale në Khalkidhë dhe Beoti, ku banorët flasin për një vrasje me brutalitet të paparë. Autoritetet thonë se zbardhja është çështje kohe, pasi gjurmët po çojnë gradualisht te organizatorët dhe ekzekutorët e kësaj vepre makabre.
