Nëntë persona janë arrestuar të dielën në komunën e Zubin Potokut, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësi të tjera të specializuara policore dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, operacioni është koduar me emrin “Dosja 23” dhe lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditura emrat e personave të arrestuar apo detaje të tjera rreth dyshimeve konkrete që rëndojnë ndaj tyre.
Policia dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se për detajet e mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.
Hetimet për rastin janë në zhvillim.
