Përfaqësues të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, iu drejtuan mediave pak kohë pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00.
Të gjithë i falënderuan qytetarët për një proces të rregullt zgjedhor, ndërsa thanë se do të presin rezultatin preliminar të zgjedhjeve nga KQZ-ja, për hapat tutje.
Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, ka thënë se ai pret rezultat dyshifror.
Ai tha se “opozita i ka fituar zgjedhjet”.
“Opozita i ka fitu zgjedhjet edhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë së opozitës”, tha Haradinaj.
“Na vjen mirë që mundi ynë ka rezultu me fitoren e opozitës. Opozita krijon shumicë solide dhe i jep Kosovës qeveri të qëndrueshme. Besoj se kjo do të ndodh”, tha ai.
Ndërkohë, Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se të dhënat preliminare që vijnë nga komisionarët tregojnë se ato përkojnë me të dhënat e Exit Poll-it të Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Sipas tij, LDK ka dalë e dyta në Exit Pollin e realizuar nga LDK me rreth 18 mijë respodentë.
Mustafa tha se sipas tij, LDK ka fituar 24 përqind të votave dhe është partia e dytë.
“LDK ka së paku ka dyfishim nga zgjedhjet e kaluara. Në presim një rezultat të shkëlqyeshëm nga diaspora që do ta rrish LDK-në për 2-3 për qind”.
Blerand Stavileci nga PDK nga kjo parti tha se janë të sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet më mirë siç tha ai, sesa çfarë pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit polleve.
“Ne jemi të sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet më mirë sesa çfarë pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit polleve. Prandaj, mbetemi të kujdesshëm dhe të përkushtuar që çdo votë të numërohet me korrektësi dhe transparencë.
Siç kemi thënë nga fillimi, ne respektojmë procesin dhe do të presim përfundimin e numërimit zyrtar para se të dalim me qëndrime të tjera politike.
Gjatë mbrëmjes, kandidati ynë për Kryeministër, Bedri Hamza, do të mbajë një konferencë tjetër për të ndarë me ju reflektimet dhe vizionin tonë për hapat e mëtejshëm.”