Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pasditen e sotme është takuar me presidenten Vjosa Osmani.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
Ai shtoi se Krasniqi i ka përsëritur Osmanit qëndrimin e PDK-së se në Kuvend nuk ka shumicë për formimin e një qeverie të re.
“Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka deklaruar Abdullahu.
