Prodhuesi Shaqi Palushi nga kompania “Golden Eagle” ka folur për protestën e sotme të bizneseve, ku u bllokuan hyrjet e Prishtinës për dy orë.
Palushi tha se askush nga prodhuesit nuk do ta donte një situatë të tillë, por tha se situata aktuale i ka detyruar shumicën e kompanive që të protestojnë.
“Situata në të cilin ndodhemi na ka detyruar shumicën prej kompanive që të protestojmë sepse shihet se askush nuk është i gatshëm për daljen në treg, përvec KESCO-s, i cili duket se e ka mirëpritur këtë vendim”.Por, besoj se është momenti i fundit që të gjendet ndonjë zgjidhje pasi kompanitë kosovare janë aset kombëtar dhe pa këto kompani, Kosova do të ishte më e varfër. Përkatësisht vetëm këto 1 mijë e 300 kompani kontribuojnë në buxhet me rreth 50 për qind të vlerës totale dhe me mbi 150 mijë të punësuar”, tha Palushi në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se kërkojnë një vendim të arsyeshëm nga ana e ZRRE-së, pasi tha se rritja prej 200 deri në 260 për qind e çmimit të energjisë rrezikon shumë biznese.Ne e bartim barrën dhe të gjithë ne jemi shumë krenarë që na takon kjo barrë që të kontribuojmë në zhvillimin e vendit, por na ka zënë të papërgatitur, pasi nuk është zhvilluar asnjë takim me ZRRE-në”.
“Mendoj që vetëm ZRRE-ja e ka ditur se do të ketë një rritje të çmimit të rrymës kaq të lartë. Ne kemi pritur një rritje 20-30 për qind, por s’kemi pritur rritje prej 200 deri në 260 për qind. E kjo rritje mund t’i vë në rrezik shumë kompani”, tha ai.