Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, është shkarkuar një ditë pasi u shpreh se në disa raste bashkësia ndërkombëtare ka nxitur trazira në veri të Kosovës.
Vokrri tha të enjten se edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, është një nga personat, që sipas tij, ka nxitur trazira. E një ditë më pas, Qeveria ka njoftuar se ai është shkarkuar.
Në komunikatë është thënë se deklaratat e Vokrrit nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka liruar sot nga detyra zëvendësminstrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit. Deklarimet e z. Vokrri nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.