Gazeta serbe “Danas” ka shkruar të dielën se i është dobësuar roli i presidentit Alekandar Vuçiq në Kosovë.
Duke përmendur paralajmërimin e tij se do t’i takojë serbët e Kosovës në Rashkë pas zbatimit të Ligjit për të Huajt nga ana e Kosovës, “Danas” ka shkruar se Vuçiq më herët shkonte në Kosovë pa pengesa, kurse tash do t’i takojë qytetarët serbë në një kontenier në kufi.
Tutje thuhet se kjo tregon se sa kanë ndryshuar rrethanat politike dhe institucionale, duke shkruar se me përformancën e tij të tipit joradikal, po përpiqet t’i demoralizojë serbët plotësisht.
Vuçiq të enjten, derisa qenë i ftuar në RTS, duke komentuar Ligjin për të huajt, i cili hyn në fuqi më 15 mars, sipas “Danasit” njoftoi se javën tjetër do të shkojë dhe do të ulet nga ana e Serbisë qendrore në kontenier dhe do të presë serbët që kalojnë kalimin administrativ për të parë çfarë mund të ndihmohet.
“Ai atëherë theksoi se Ligji është një goditje për arsimin dhe shëndetësinë dhe se problemi mund t’i prekë rreth dhjetë mijë serbë që jetojnë në KIM, rreth 500 profesorë që punojnë në universitetin e Prishtinës të zhvendosur në Mitrovicë, si dhe pak më pak mjekë dhe mësues. Ai njoftoi se takohet me evropianët për të punuar në zgjidhjen e këtij problemi. Dita para hyrjes në fuqi të ligjit, të shtunën, i dërguari special i KE për dialogun Beograd–Prishtinë bisedoi me kryeministrin kosovar Albin Kurti, dhe u arrit një marrëveshje që zbatimi i Ligjit fillon sipas planit, por me disa masa shtesë, përfshirë lëshimin e lejeve nga Qeveria e Kosovës për periudhën fillestare prej 12 muajsh për punëtorët dhe studentët serbë. Me një marrëveshje të tillë, qeveria në Serbi është e kënaqur, si dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa Vuçiq, duke pritur të shohë si do të zhvillohet situata më tej, përsëri njofton takime me serbët pas rreth dhjetë ditësh”, shkruan “Danas”.
“Nuk ka zgjidhje të mira dhe të lehta, por ky është lehtësim për ta. Është arritur një model, i di detajet teknike. Brenda shtatë deri në 10 ditë do të shkoj për të folur me njerëzit tanë në Rashkë”, ka thënë Vuçiqi të shtunën.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që, duke nisur nga sot (15 mars 2026), zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri.
Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.
