Faturat e reja të energjisë elektrike me shtrenjtimin e tretë qytetarët do t’i gjejnë të ngjitura në dyert e tyre dita-ditës.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë zotuar se me t’u themeluar Kuvendi i Kosovës, Bordi i ZRrE-së do të shkarkohet menjëherë dhe për anëtarët e saj, do të ketë hapësirë që të ndiqen penalisht.
“Ata njerëz kanë m’e u ballafaqu dhe kam thanë, kanë me u ballafaqu m’e përgjegjësi penale, ligjore; i madh e i vogël”, tha Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“E para e punës – për bordin e ZRrE-së – nëse e bëjmë shumicën parlamentare, ata krejt kemi m’ei shkarku; dhe, besoj që për krejt ka hapësirë m’ei procedu penalisht. Ata e kanë shkel kompetencën dhe besimin që ua ka dhanë Kuvendi i Kosovës. Ata veç për qytetarët e Kosovës nuk jan t’u punu”, tha Krasniqi.
“Bordi i ZRrE-së, po mendojnë që në katrahurën që e ka shkaktu Albin Kurti – duke i leju ata me rritë çmimin e rrymës, duke u mundu me njëfarë kamuflazhe sikur ‘rritne më shumë, ose më pak’ dhe prap ajo që është paralajmëru prej ditës së parë ka ndodhë: rritja e tretë”, tha ai.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ndër më vokalet kundër shtrenjtimit të rrymës me vendim/leje të ZRrE-së, po ashtu ka thënë se do të kërkojnë llogaridhënie nga ky Bord.
“Nëse në këtë legjislaturë ka deputetë që përfaqësojnë interesin e qytetarëve, atëherë do ta shkarkojmë bordin aktual. Nëse bordi aktual nuk e shfuqizon vendimin, atëherë bordi i ri do ta bëjë këtë pa asnjë dyshim”, ka thënë Hykmete Bajrami.
Për Bajramin dhe Krasniqin këto shtrenjtime shkojnë për hesape të mafisë energjetike, emri më i asocuar i të cilëve ndër kosovarë është ambasadori kontravers i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Ata njerëz (Bordi i ZRrE-së) kanë m’e u ballafaqu dhe kam thanë, kanë me u ballafaqu m’e përgjegjësi penale, ligjore; i madh e i vogël. Sepse po menojnë që munden m’u mshef. Se nashta i kanë mashtru që ‘mos t’ua ndien se jemi ne në pushtete, dhe ju mbrojmë’. Jo s’mund i mbrojnë. Qito vepra që i kanë bo, këto s’ju plaken”, tha Krasniqi.
“Unë e di qysh janë tu i rrejt: hajt se keni imuninet mandator. Nuk kanë. Ti me rrit mu rrymën 100% çdo vjet a? Për interes të kujt? Të oligarkëve të Albin Kurtit? 700% është rrit importi i rrymës, kush i merr ato pare? Martin Berishaj me shokë të vet? Mafia Energjetike? GEN-I? Krejt qata që e kanë bazën në Serbi? Dhe kur? Kohën e kësaj mjegullnaje”, tha Krasniqi.
Për Hykmete Bajramin, po ashtu adresa është te mafia energjetike dhe interesat e KEDS-it.
“Kjo ndodh kur ke një kryeministër si Albin Kurti e një ministre si Rizvanolli, të cilët që katër vite mbrojnë Nagipat e Martinat; kur ke një bord të ZRRE-së të ndikuar nga partia në pushtet që majë fitimet e KESCO-s dhe të KEDS-it; një ZRRE që ruan sekretin financiar të këtyre kompanive dhe në emër të kostove të operimit – lexo fitimit rrit çmimin e energjisë elektrike për të tretën herë”, tha ajo.