DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
No Result
View All Result

PDK miraton deklaratë politike, kërkon ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara

25 Shtator 2026
A A
PDK miraton deklaratë politike, kërkon ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara
Share on Facebook

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht të premten një Deklaratë Politike prej tri pikash, përmes së cilës kërkohet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje e pakufizuar financiare nga institucionet për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së, si dhe përkrahje për organizimet popullore kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në deklaratë, KD i PDK-së e kundërshton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilin e cilëson si të padrejtë dhe tendencioz. Po ashtu, partia kundërshton çdo interpretim që, sipas saj, cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo krijon barazime ndërmjet luftës së popullit të Kosovës për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb.

Në dokumentin e miratuar, PDK deklaron se do të vazhdojë t’i mbështesë me të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe juridike përpjekjet për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë, e cila u zhvillua në aleancë politike dhe strategjike me botën demokratike dhe përfundoi me përkrahjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

PDK-ja thekson gjithashtu se do të angazhohet për mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën çlirimtare.

 

Deklarata e plotë e KD të PDK-së:

DEKLARATË POLITIKE

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, i mbledhur pas aktgjykimit të padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe përballë situatës së rënduar politike e institucionale në vend, ka diskutuar për gjendjen e krijuar dhe për përgjegjësitë që burojnë në këtë periudhë kritike për Kosovën.

Këshilli Drejtues e kundërshton aktgjykimin thellësisht të padrejtë dhe tendencioz ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe kërkon që drejtësia të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht.

Në të njëjtën kohë, PDK kundërshton kategorikisht çdo interpretim që cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo që krijon barazime ndërmjet luftës së popullit tonë për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë, e cila u zhvillua në aleancë politike dhe strategjike me botën demokratike dhe përfundoi me përkrahjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

PDK-ja do të vazhdojë t’i mbështesë me të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe juridike, përpjekjet për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Njëkohësisht, PDK-ja do të angazhohet për mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare.

Për këto arsye, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës kërkon:

1. Shqyrtimi institucional i kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara

Kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ta votojë Projektligjin e dorëzuar nga PDK-ja me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe të shqyrtohet legjislacioni dhe marrëveshjet relevante që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.

Ky shqyrtim duhet të vlerësojë mundësitë kushtetuese dhe ligjore për forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.

Institucionet e Kosovës kanë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë që të shqyrtojnë funksionimin e kuadrit juridik që vetë Republika e Kosovës e ka miratuar dhe, aty ku ekziston bazë kushtetuese dhe ligjore, të propozojnë ndryshimet e nevojshme.

Pavarësia e drejtësisë duhet të respektohet plotësisht. Por, pavarësia nuk përjashton transparencën, standardet e gjykimit të drejtë dhe përgjegjshmërinë institucionale.

2. Mbështetje të plotë institucionale për mbrojtjen juridike dhe procesin gjyqësor në Apel

Kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që, në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe institucionale, të sigurojnë dhe garantojnë mbështetjen e pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në procedurat e mëtejme juridike. Mbrojtjes duhet t’i krijohen kushtet për ushtrimin e plotë dhe efektiv të të gjitha të drejtave procedurale.

Procesi gjyqësor në Hagë ka rëndësi jetike për Kosovën, për lirinë e popullit tonë, pavarësinë e shtetit tonë dhe shtetndërtimin e deritashëm. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen edhe përmes diplomacisë shtetërore dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë, për respektimin e standardeve më të larta dhe sigurimin e një procesi të drejtë në procesin gjyqësor të Apelit.

3. Mbështetje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës mbështet organizimin e protestave popullore si shprehje e pakënaqësisë me vendimet e padrejta e të motivuara politikisht të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Prandaj, PDK fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këto protesta

PDK kërkon unitet dhe organizim në këtë përpjekje të përbashkët për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare.

DTV MEDIA

Televizioni DTV është një medium i pavarur që shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, përmes platformave kabllore televizive, si dhe në Evropë, Amerikë dhe vendet e tjera të Botës përmes IPTV-ve.
Lëxo më shumë

KATEGORITË

  • Botë (1 736)
  • Konkurs (3)
  • Lajme (27 794)
  • Opinione (56)
  • Showbiz (191)
  • Sport (451)
  • TV (95)
  • Zgjedhjet 2025 (1 095)
  • Rreth nesh
  • Reklama
  • Privatësia dhe Politika
  • Contact

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Konkurs
  • Zgjedhjet

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com