Partia Demokratike e Kosovës ka përkujtuar 26-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, duke e cilësuar këtë datë si një ndër momentet më vendimtare të historisë së re të vendit.
Në një postim në Facebook, PDK thekson se Marrëveshja e nënshkruar më 9 qershor 1999 i dha fund luftës në Kosovë dhe ndaloi gjenocidin e kryer nga regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviqit ndaj popullit shqiptar.
“Ajo ishte kulmi i një përpjekjeje të jashtëzakonshme të popullit tonë dhe sakrifice të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me guxim dhe përkushtim, bëri të pamundurën të mundur.
Ky moment vendimtar hapi rrugën për vendosjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, përmes ndërhyrjes së drejtë të NATO-s, që ndaloi krimet, shpëtoi jetë dhe mbrojti dinjitetin e një populli të tërë. Kontributi i shteteve anëtare të NATO-s ishte vendimtar në këtë fitore të përbashkët për lirinë.
Përjetësisht falënderues ndaj aleatëve tanë ndërkombëtarë, e në veçanti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që qëndruan pranë nesh atëherë dhe vazhdojnë të na mbështesin në rrugën e konsolidimit të shtetit, forcimit të demokracisë dhe integrimit euroatlantik”, shkroi tutje PDK në Facebook.