Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, pak para vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës tha se Vetëvendosje po vazhdon me qasje konstruktive për të zhbllokuar procesin, por theksoi se zgjidhja tani është në dorën e opozitës, raporton Ekonomia Online.
Duke komentuar ndarjen e përgjegjësive institucionale, Peci kujtoi qëndrimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka theksuar se meqenëse posti i kryetarit të Kuvendit i takon VV-së, kjo parti synon që marrëveshjet politike të jenë pjesë e diskutimeve për formimin e qeverisë së ardhshme, por jo për ndarjen e përgjegjësive brenda Kuvendit.
“Si çdo herë, edhe sot ne vijmë me vullnet pozitiv për t’i dhënë zgjidhje konstituimit të Kuvendit. Tashmë dihet që pamundësia për të pasur Kuvend të konstituuar varet nga votat e partive opozitare. Në rast se ata kanë reflektuar, ne do të kemi ndryshim të gjendjes, Në rast të kundërt është situatë e njëjtë. Sikurse e ka thënë Kurti, meqë kryetari i Kuvendit i takon VV-së, ai synon që pjesën e negociatave dhe marrëveshjeve politike ta ketë për qeverinë e ardhshme, por jo për Kuvendin”, tha Peci.
