Një 24-vjeçar nga Kosova është plagosur me thikë gjatë një përleshjeje në një dhomë hoteli në Dällikon të Cyrihut.
Sipas mediave zvicerane, ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje, kur policia është njoftuar për një person të plagosur në Regensdorferstrasse.
Policia lokale i ka dhënë ndihmën e parë 24-vjeçarit, i cili më pas është transportuar në spital me lëndime të moderuara në krah dhe pjesën e sipërme të trupit, raporton Blick.
Sipas hetimeve fillestare, plagët dyshohet se janë shkaktuar me thikë gjatë një grindjeje në një dhomë hoteli.
Në lidhje me rastin janë arrestuar tre persona, dy shtetas suedezë dhe një slloven, të moshës 20 deri në 33 vjeç. Ata dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen.
Hetimet për të sqaruar rrethanat dhe rrjedhën e saktë të përleshjes po vazhdojnë nga Policia Kantonale e Cyrihut dhe Prokuroria e Cyrihut.
