Qindra mijëra qytetarë e studentë protestuan në Beograd të shtunën, në protestën me të cilën kanë vendosur ultimatum për zgjedhje të reja në Serbi dhe rrëzim të presidentit Aleksandër Vuçiq.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës drejt protestuesve që janë mbledhur përpara një kordoni policor afër Presidencës së Serbisë. Gjithashtu pati disa përleshje në qendër të qytetit, teksa disa protestues u konfrontuan me policinë.
Policia përdori forcën për të shpërndarë turmën, teksa pati edhe disa arrestime.
Pas përfundimit të protesës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq deklaroi se në fund, Serbia gjithmonë fiton.
“Në fund, Serbia gjithmonë fiton”, tha Vuçiq në një postim në Instagram.
Studentët kanë parashtruar dy kërkesa për qeverinë serbe. Me të parën, kërkohen zgjedhje të parakohshme, kurse me të dytën ndërprerja e tubimit në qendër të Beogradit, ku gjatë tre muajve të fundit kanë bërë kampe mbështetësit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilët kundërshtojnë protestat e studentëve.