Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të VV-së, Albin Kurti, i cili paralajmëroi se buxheti mund të bllokohet për komunat që nuk drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka quajtur këtë një kërcënim të hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se paratë publike nuk janë pronë e asnjë partie politike.
“Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie — janë pronë e popullit të Kosovës,” ka shkruar Rama.
Ai ka akuzuar Kurtin se po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral, duke tentuar të blejë vullnetin e qytetarëve me para publike.
“Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik. Si kryetar i Prishtinës, nuk do të hesht përballë një mentaliteti autokratik që kërkon t’i ndajë qytetarët në ‘tanët’ dhe ‘të tjerët’. Zhvillimi nuk vjen nga kërcënimi, por nga puna e ndershme,” theksoi ai.
Rama përfundon reagimin e tij duke deklaruar se çdokush që e përdor buxhetin e shtetit për të ndëshkuar apo shpërblyer votues, e ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr.
Ky reagim vjen pas paralajmërimeve të Kurtit për bllokim të fondeve për komunat që nuk drejtohen nga VV, deklarata që kanë shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe kryetarë komunash në gjithë vendin.
