Anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Armend Zenelaj, i është pranuar dorëheqja nga kjo pozitë dhe ajo e kryesuesit të Komisionit për Çështje Normative.
Zenelaj e kishte dorëzuar dorëheqjen në Këshill më 19 maj 2025.
Ai ishte anëtar i KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe kishte mandat si anëtar i Këshillit deri në muajin nëntor të këtij viti.
Sipas vendimit, Zenelaj ka theksuar se arsyet e dorëheqjes janë personale dhe profesionale, dhe se i njëjti kthehet në punë si prokuror në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Departamenti i Përgjithshëm.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 22 maj 2025 përmes një komunikate, kishe mirëpritur reformën në sistemin prokurorial, por kishte kërkuar nga Këshilli që të mos ndërmarrë veprime që minojnë reformën e përcaktuar me Ligj të ri.
“Deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, çdo veprim në kundërshtim me këtë frymë dhe qëllimin e këtij Ligji do të mund të perceptohej si tentativë për të sabotuar reformën në sistemin prokurorial dhe minuar zbatimin e ligjit duke ruajtur praktikat e përbërjes korporatiste”, thuhej në komunikatë, duke shtuar se Ligji ka kaluar testin e Kushtetueses.
Gjithashtu, IKD kishte vlerësuar se dorëheqja e anëtarit të KPK-së, Armend Zenelaj, vetëm pak muaj para përfundimit të mandatit të rregullt, krijon dyshime se kemi të bëjmë me dorëheqje të koordinuar, të cilat tentojnë të sabotojnë reformën në sistemin prokurorial. Aty thuhet se Zenelaj nuk duhet të zëvendësohet me ndonjë anëtar të ri.
“Përgjatë periudhës dyvjeçare, KPK nuk duhet të avancojë z. Zenelaj e as ndonjë anëtar tjetër që jep dorëheqje, sepse dorëheqjet eventuale të ofruara gjatë kësaj faze deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, do të mund të perceptoheshin si tentativë e KPK-së për të zgjatur mandatet sipas përbërjes korporatiste”, thuhej në fund.
“Betimi për Drejtësi” më 14 qershor ka raportuar se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një letre dërguar Këshillit Prokurorial të Kosovës, ua ka tërhequr vërejtjen anëtarëve se dorëheqjet e tyre dhe zëvendësimi i u.d Kryeprokurorit të Shtetit nuk janë të mirëpritura.
Sipas Zyrës së BE-së, dorëheqjet e parakohshme të bashkërenduara e vonojnë reformën dhe se zhvillimet e tilla janë për keqardhje.
“Megjithatë, ndërkohë që jemi në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit të ri si edhe rishikimit vijues nga Komisioni i Venedikut në qershor, jam njoftuar për disa zhvillime për keqardhje. E kuptoj që ka diskutime për dorëheqje të parakohshme të bashkërenduar të anëtarëve të Këshillit në mënyrë që të ruhet përbërja aktuale e çekuilibruar e Këshillit dhe të vonohet zbatimit i reformës. Po ashtu e kuptoj që ka diskutime lidhur me zëvendësimin e mundshëm të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Është e çartë që këto nisma do ta minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit të ri dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar anëtarëve të KPK-së që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar.