Presidenca e Kosovës është shprehur e shqetësuar, pasi Prokuroria Speciale nuk ka ngarkuar ende asnjë prokuror që të merret me kërcënimet ndaj presidentes Vjosa osmani.
Bekim Kupina, këshilltar për media në presidencë, ka thënë se presidentja ka marrë “dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por deri më tani nuk është asnjë i arrestuar” .
“Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani.
Deri tash ka pas dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por asnjë i arrestuar nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej tyre kërcënimet i kanë bërë pa e fshehur identitetin.
Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota” – ka thënë ai në një reagim dërguar mediave.