Presidentes së Republikës së Kosovës iu organizua pritje me nderime të larta shtetërore në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya në Malajzi.
Presidentja Osmani falënderoi për pritjen në këtë shtet.
“Faleminderit Kryeministër Anwar Ibrahim për mikpritjen!”, shkroi në fb presidentja Osmani.
Kreu i shtetit të Kosovës ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Federatën e Malejzisë, me ftesë të Kryeministrit YAB Dato’ Seri Anwar Ibrahim.
Zyra e Presidentes së Kosovës bëri të ditur se në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do të dekorojë me Medalje Presidenciale të Meritave Kryeministrin aktual të Malejzisë, Anwar Ibrahim, si dhe ish-kryeministrin Abdullah Ahmad Badawi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në mbështetje të Kosovës.
“Presidentja Osmani, në prezencë të korit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë, do ta hapë zyrtarisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, një hap i rëndësishëm në forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në rajonin e Azisë Juglindore.
Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Investimeve të Malajzisë (NCCIM), si dhe me përfaqësues të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë malajziane, përfshirë prodhimin, teknologjinë dhe turizmin. Me këtë rast, do të diskutohet për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe tërheqjes së investimeve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.


