Kryeqyteti po përballet me një krizë të rëndë të menaxhimit të mbeturinave. Kontejnerët në Prishtinë janë të tejmbushur, madje edhe në qendër të qytetit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, kryeshefi i Ndërmarrjes publike “Pastrimi”, Petrit Reçica, tha se kompania ka mbetur pa naftë, për shkak të borxheve të mëdha ndaj furnitorëve dhe deponisë së Kosovës.
“Na është harxhuar krejtësisht nafta. Në vazhdimësi kemi punuar me sasi të cunguar të naftës, sepse me vullnetin dhe mjetet tona kemi arritur disa herë të bëjmë marrëveshje me operatorë që tw na furnizojnë, mirëpo borxhi ka arritur në atë nivel që tash është bërë problem i madh. Nuk kemi vetëm problemin me naftën. Kemi borxhe të akumuluara edhe ndaj deponisë së Kosovës. Edhe pse kemi arritur marrëveshje dy mujore, ata muaj kalojnë shpejt dhe kjo situatë nuk është e qëndrueshme financiarisht,” tha Reçica.
Sipas tij, mungesa e përkrahjes nga Komuna ka përkeqësuar situatën, përfshirë edhe vonesat në pagesën e pagave për punëtorët.
“Një pjesë e pagave ende nuk është ekzekutuar. Problemi ka filluar shumë më herët. Përkrahja ka qenë zero dhe kërkesat tona janë injoruar. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje, por mungon vullneti i Komunës. Problemi është mospagesa e Komunës dhe thirrja e jashtëligjshme për të mos paguar në ‘Pastrimi’, por në Komunë”, shtoi ai.
Reçica akuzoi Komunën se po tenton ta çojë ndërmarrjen drejt falimentimit për ta zëvendësuar me operatorë privatë. Sipas tij, aktualisht janë të hapur dy tenderë për të njëjtën çështje – një publik dhe një tjetër me negociata të fshehta.
“Ne kemi vetëm një telash: nuk jemi pajtuar që Komuna ta falimentojë ‘Pastrimin’ dhe ta zëvendësojë me operator privat. Sot janë të hapura dy tenderë për të njëjtën çështje: njëri tender wshtw publik dhe tjetri me negociata të fshehta: për një shërbim që ‘Pastrimi’ veçse po e kryen tash e pesë muaj. Nuk mund të themi se nuk po punojmë. Edhe 24 orë të punojmë e shihni në çfarë situate kemi ardhur. Kemi qenë të vetëdijshëm për këtë rrezik dhe e kemi njoftuar zyrtarisht kryetarin, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Jemi injoruar plotësisht”, u shpreh Reçica.
Ai tha se dje kanë kërkuar një takim zyrtar me kryetarin, Përparim Rama, i cili u konfirmua përmes telefonit, por ende nuk është realizuar.
“Jemi në pritje. Ne duhet ta shohim çështjen si interes publik dhe të punojmë për të gjetur zgjidhje,” përfundoi Reçica.

