Një kafene në qendër të Prishtinës ka ofruar kafe dhe çaj falas për tifozët turq, në një gjest mirënjohjeje për ndihmën e dhënë ndaj Kosovës në vitin 1999, në prag të ndeshjes historike mes Kosovës dhe Turqisë.
“Sot rivalë, por gjithmonë miq. Kafe e çaj falas për të gjithë tifozët turq. Ju e keni paguar më 1999 – sot nuk keni asnjë borxh. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e vendosur në shesh.
Ndërkohë, kanë mbetur më pak se tetë orë deri në nisjen e përballjes në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” përballen me Turqinë në një ndeshje vendimtare, ku fituesi siguron kualifikimin në Kampionatin Botëror.
Qyteti është gjallëruar nga tifozët, të shoqëruar nga tingujt e tupanit, ndërsa sheshi është mbushur me shitës shalesh dhe fanellash të të dyja kombëtareve
Prishtina po jeton një atmosferë të rrallë sportive, me shpresën se kjo mbrëmje mund të sjellë një kapitull historik për futbollin kosovar.
